Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci bashkë me shefin e Zyrës së BE-së, Tomsh Szunyog, si dhe Mimika Dobroshi nga Zyra e Erasmus+ në Kosovë, sot mbajtën një konferencë të përbashkët për medie.
Ata diskutuan për rezultatet e projekteve për ngritje të kapaciteteve në arsimin e lartë dhe në arsimin profesional si dhe për projektet nga Kosova që janë përzgjedhur për financim nga Komisioni Evropian.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se Kosova këtë vit ka shënuar suksesin më të madh duke përfituar nga programi Erasmus+ me 21 projekte.
Sipas saj, projekte të tilla të BE-së po u ndihmojnë që t’i arrijnë objektivat.
“Këtë vit Kosova shënon përfitimin më të madh nga Programi Erasmus+. Në vitin 2022 nga Komisioni Evropian Kosova ka përfituar 21 projekte, prej tyre 11 janë për ngritjen e kapaciteteve të arsimit të lartë, 1 projekt permanent dhe 9 projekte në fushën e arsimit profesional. Nevoja është që të fokusohemi në rritjen e kapaciteteve të arsimit të lartë”.
“Suksese e Kosovës në programet e BE janë shumë të rëndësishme për zhvillim, ku përmes programit Eraamus+ ofrojnë mundësi për ngritje të kapaciteteve të arsimit të lartë dhe atij profesional. Projekte të tilla të financuara nga Komisioni Evropian na ndihmojnë që të arrijmë objektivat tona”, tha Nagavci.


