Në Leipzig të Gjermanisë po mbahet Konferenca me temë “Arsimi i të rriturve”, në të cilën po merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Në këtë konferencë po diskutohen ndryshimet shoqërore dhe ekonomike, të cilat e bëjnë të domosdoshëm Arsimin e të Rriturve dhe po shkëmbehen përvojat lidhur me zhvillimin e politikave dhe programeve të arsimit për të rritur nga më shumë se 32 shtete.
“Duke qenë se zhvillimet e shpejta të teknologjisë dhe ndryshime të tjera e kanë theksuar nevojën e përshtatjes së njohurive dhe shkathtësive me këto ndryshime, MAShTI po punon në zhvillimin e politikave të reja.
Në vijim të konferencës dhe të bashkëpunimit me DVV International në Kosovë në fund të muajit qershor, në kuadër të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, do të promovohet lansimi i programit “Curriculum GlobALE” për trajnimin e edukatorëve që merren me Arsimin e të Rriturve.
Po ashtu, do të hapen dy qendra të reja për Arsimin e të Rriturve, bazuar në modelin e shkollave popullore gjermane, si dhe do të krijohet një rrjet i ri për Arsimin e të Rriturve, i cili do të mundësojë koordinimin, bashkëpunimin dhe menaxhimin e të dhënave në nivel kombëtar”, thuhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.”/kosovanews/