Përfaqësuesja e Kosovës në futboll në të ardhmen mund t’i zhvillojë edhe në Hajvali ndeshjet kualifikuese.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se stadiumi kryesor i Kampit Nacional në Hajvali do të bëhet i kategorisë së katërt.
“FFK ka siguruar mbështetje financiare për vendosjen e 14 mijë ulëseve në këtë stadium, si faza e fundit e kompletimit të Shtëpisë së Kombëtares së Kosovës”, shkruan në njoftimin e FFK-së të enjten pas mbledhjes së Komitetit “hat-trick” të UEFA-s të mbajtur në Prishtinë.
Kosova aktualisht ka vetëm një stadium që plotëson kriteret minimale për ndeshje kualifikuese. Stadiumi “Fadil Vokrri” është i kategorisë së katërt. Në stadiumin e qytetit të Prishtinës luhen ndeshjet e Kosovës e po ashtu edhe klubet në garat kualifikuese evropiane.


