Mesfushori i Rubin Kazan, Veldin Hoxha, ka folur për jetën e tij aktuale në Rusi, për të kaluarën në Kroaci dhe mbi vendimin për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
I rritur në sistemin e futbollit kroat, Hoxha ka qenë pjesë e të gjitha grupmoshave të kombëtares së Kroacisë, duke përfshirë edhe 24 paraqitje për U21.
Në një intervistë për mediumin kroat Rijeka Danas, Hoxha theksoi se vendimi për të përfaqësuar Kosovën erdhi pas një periudhe të gjatë reflektimi.
“Kosova më donte sinqerisht. Bisedimet kanë vazhduar për më shumë se dy vjet. Ishte budallallëk nga ana ime të prisja më gjatë. Ata treguan se më donin dhe kjo më bindi. Jam i lumtur që mora atë vendim”, ka thënë ai.

Federata e Futbollit të Kosovës pritet ta ftojë Hoxhën për ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Kupën e Botës 2026, ku “Dardanët” përballen me Zvicrën dhe Suedinë në muajin shtator.
Kosova do të luajë ndaj Zvicrës në Basel, ndërsa do të presë Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Këto dy sfida janë të parat për Kosovën në ciklin kualifikues drejt Kampionatit Botëror.