Zhvillimet më të fundit demografike tregojnë për një tkurrje alarmante të popullsisë në Kosovë, me humbje të ndjeshme në lindshmëri, rritje të ndjeshme të emigrimit dhe plakje të shpejtë të strukturës së popullsisë – fenomene këto të theksuara veçanërisht në komunën e Rahovecit.
Këto konstatime u prezantuan në debatin tematik të organizuar sot në Prishtinë, nga Forumi Anadrini (FARDI) në bashkëpunim me Kolegjin “Pjetër Budi”, nën drejtimin e ish guvernatorit të BQK, njëherësh edhe profesor Hashim Rexhepit, me temën:
“Të dhënat demografike dhe socio-ekonomike në mes dy regjistrimeve të popullsisë 2011–2024, në Kosovë dhe në komunën e Rahovecit.”
Të dhënat e prezantuara treguan se Kosova ka humbur mbi 9% të popullsisë që nga viti 2011, ndërsa komuna e Rahovecit ka pësuar rënie prej më shumë se 14,000 banorësh, duke ndikuar në ekonominë lokale, numrin e nxënësve në shkolla, tregun e punës dhe strukturën institucionale.
Dr. Sami Behrami, demograf i njohur, vuri theksin në rrezikun e një krize të thellë demografike në dekadën e ardhshme nëse nuk ndërmerren masa të shpejta dhe efektive. Ai kërkoi politika të qëndrueshme për rritjen e lindshmërisë dhe kontrollin e emigrimit, duke e cilësuar këtë si çështje kombëtare të sigurisë dhe zhvillimit.
“Në periudhen në mes dy regjistrimeve (2011/2024), ngjarje të rëndësishme për zhvillimet demografike: 1. Emigrimet , posaçërisht e vitit 2014 dhe 2015 2. Pandemia COVID 19 Proceset demografik -elementet më të rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm,- analizën e çështjeve të zhvillimit duke i hulumtuar.”, ka thënë mes tjerash Behrami.
z. Idriz Shala, ekspert nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), theksoi se Rahoveci përballet me një tkurrje të dukshme të ekonomive familjare, rënie të dendësisë së popullsisë dhe ulje të nivelit të urbanizimit, ndërsa z. Ilir Berisha nënvizoi mungesën e diversifikimit ekonomik dhe sfidat me infrastrukturën në zonat rurale.
Takimi u hap nga Prof. Qerim Kadiri, kryetar i FARDI-t, dhe Prof. ass. dr. Sabri Klaiqi, rektor i Kolegjit “Pjetër Budi”, që theksuan rëndësinë e adresimit të sfidave të këtilla kritike për të ardhmen e vendit.
Debati përfundoi me thirrjet e drejtpërdrejta për hartimin e strategjive të mençura dhe ndërsektoriale, që përfshijnë zhvillimin ekonomik, arsimor dhe social, për të frenuar rrëshqitjen drejt zbrazjes demografike në vend, veçanërisht në komunat që po shpopullohen me shpejtësi.