Mbrëmja e së martes pritet të jetë një datë historike për futbollin, ku Kosova dhe Turqia do të përballen në finalen e madhe të “play-off”-it për një biletë që dërgon në Kupën e Botës 2026.
Kjo përballje vendimtare ka zgjuar emocione të mëdha në opinionin sportiv, ndërsa komentuesi i njohur turk, Ertem Shener, ka lëshuar një thirrje të fuqishme përmes një videoje në rrjetin social X.
Shener ka kërkuar mobilizim total dhe unitet kombëtar nga tifozët turq, duke vlerësuar lart forcën e treguar nga “Dardanët” në rrugëtimin e tyre deri në finale.
Sipas tij, fitorja e Kosovës ndaj Sllovakisë ishte një tregues i qartë se Turqia nuk do ta ketë aspak lehtë.
“Tani të gjithë po flasin për fitoren tonë ndaj Rumanisë dhe për fitoren e Kosovës ndaj Sllovakisë. E tyrja është një fitore e madhe. Kosova e ka bërë copë-copë mbrojtjen e Sllovakisë dhe ne duhet të kemi shumë kujdes me mbrojtjen tonë. Duhen thyer klishetë dhe duhen lënë mënjanë ndjenjat,” u shpreh Shener, duke paralajmëruar se euforia duhet të zëvendësohet me kujdes maksimal.
Përtej analizës teknike, komentuesi i famshëm u fokusua te nevoja për bashkimin e tifozërisë turke, e cila shpesh është e përçarë për shkak të rivaliteteve të ashpra mes klubeve vendore.
Ai kërkoi që deri të martën mbrëma, emrat e klubeve të mëdha të harrohen për hir të flamurit dhe kombit turk.
“Deri në fishkëllimën e fundit të ndeshjes me Kosovën, nuk ka Galatasaray, nuk ka Fenerbahçe, nuk ka Beşiktaş, nuk ka Trabzonspor. Nuk ka ‘unë’, nuk ka ‘ti’, jemi ‘ne’. Është Hëna dhe Ylli. Si ngjyrat kuq e bardhë, duhet të jemi një copë e vetme, duhet të bëhemi flamur. Duhet të jemi Turqia,” deklaroi ai.
Shener nuk la pa përmendur as ndikimin e rrjeteve sociale, duke u bërë thirrje fansave që të mos i çorientojnë futbollistët me debate klubiste.
Ai theksoi se kudo që ndodhen qytetarët – në metro, në punë apo në rrugë – duhet të ekzistojë vetëm një qëllim.
“Me komentet tona në rrjetet sociale po i çorientojmë edhe futbollistët tanë. Duhet t’i mbyllim komentet negative për klubet deri të martën mbrëma. Kosova nuk bën hajgare. Deri në fishkëllimën e fundit, të gjithë jemi të Turqisë,” përfundoi ai.
Ndryshe ndeshja mes Turqisë dhe Kosovës konsiderohet si momenti i së vërtetës për të dyja kombëtaret, ku fituesi do të sigurojë pjesëmarrjen në botërorin që do të mbahet në Amerikën e Veriut.
Salı gecesine kadar mecburuz!
— Ertem Şener (@ertemsener) March 26, 2026
Dünya kupasına gitmek için mecburuz!
Kosova rakibimiz, Kosova’yı nasıl geçeriz?
🇹🇷
Buyrun yorumlara. pic.twitter.com/5zhPwYZME2


