Komesarja evropiane për zgjerim ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve në Kosovë, që do të mundësonin zbatimin e reformave evropiane dhe përfitimin nga mjetet financiare të Planit Evropian për Rritje.
“Tani është në interes të Kosovës që të formojë shpejt institucionet e saj, në mënyrë që të çojë përpara reformat urgjente evrpiane. Ndër to, nënshkrimi dhe ratifikimi i marrëveshjeve që lidhen me Planin për Rritje duhet të trajtohen me prioritet nga qeveria dhe kuvendi i ri. Kjo do të mundësonte lirimin e fondeve nga ky instrument, me kusht që të përmbushen të gjitha kriteret e tjera”, tha Marta Kos – Komisionere evropiane për zgjerim.
Debati për Kosovën është zhvilluar të martën mbrëma në prag të votimit të Rezolutës e cila, ndër të tjera, do të kërkojë që procesi i dialogut me Serbinë të përfundojë me njohje të ndërsjellë.
Rezoluta do t’u bëjë thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë. Në të do të përshëndetet aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për BE, si dhe mbështetja për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Autor i rezolutës që do të votohet është eurodeputeti Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.
“Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Ato kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi. BE-ja financon shumë projekte dhe programe të dizajnuara për të mbështetur axhendën evropiane në Kosovë. Kjo është arsyeja pse duhet t’i shfuqizojmë masat dhe ta lëmë Kosovën të përparojë me fondet që ofrojmë “, tha Riho Terras, eurodeputet.
Heqja e masave ndëshkuese përmendet edhe në rezolutën që pritet të votohet sot.
Në këtë dokument, shprehet shqetësim për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, veçanërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc.
Rezoluta do të kërkojë që autorët e këtyre akteve të dhunshme të dalin para drejtësisë. Po ashtu, do të shprehet keqardhje që Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë, përfshirë edhe Millan Radoiçiqin.