Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se janë dy pozicionime në lidhje me relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, Serbia po thotë se nëse Kosova i zbaton ligjet e veta, do të ketë luftë, ndërkaq Kosova thotë se nëse i zbaton ato, do të ketë paqe.
“I ke dy pozicionime, Serbia po thotë kështu: Nëse Kosova i zbaton ligjet e veta, do të ketë luftë. Kosova po thotë nëse ne i zbatojmë ligjet tona, do të ketë paqe. Tash njëra prej këtyre dy opsioneve do të fitojë”, ka thënë Konjufca në Rubikon.
22.30 Konjufca: Serbia po dëshiron ta sfidojë Kosovën përmes shfaqjes së forcës
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia po dëshiron që ta sfidojë Kosovën përmes shfaqjes së forcës së saj.
Në emisionin Rubikon, ai ka theksuar se Kosova duhet t’i përgjigjet këtij spektakli të Serbisë me mekanizmat e të drejtës.
“Në disa pjesë i kemi të gjitha mjetet, në pjesën e veriut të Kosovës kemi më pak mundësi për shkak të rrethanave që i kemi qe 23 vjet”.
“Mirëpo kur të merresh me rrethanat, është shumë mirë ta kuptosh vetveten kah po ja man. A je duke bërë veprime në drejtim të çmontimit të rrethanave të këqija, apo po i betonon ato?”.
“Unë po mendoj se tash Serbia ka hyrë në një cikël ku po dëshiron që ta sfidojë Kosovën përmes shfaqjes së forcës së saj”.
“Ky është spektakël i shfaqjes së forcës. Tash, kundër strategjia është me iu përgjigj me mekanizmat tonë të së drejtës. Jo para se gjithash të forcës, por të të drejtës”.
Sipas tij, sundimi i ligjit jo çdo herë ka të bëjë me forcën, por bëhet forcë kur ka shkelje të ligjit.
“Nuk e përjashtojmë se Serbia mund të sakrifikojë edhe njerëz për ta arritur qëllimin. Për këtë arsye po them se na nevojitet maturi”.
22.20 Konjufca: S’mund të më quash anti-amerikan kur lypi më shumë për vendin
Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se e mirëkupton qortimin e ShBA-së ndaj Kosovës, por sipas tij, kjo e cenon vetëm përgjegjësinë globale dhe evropiane që ato e kanë në relacion me BE-në.
Sipas Konjufcës, përgjegjësia e ShBA-së është me e madhe se e Kosovës, pasi sipas tij, Kosova e sheh ndryshe Serbinë dhe ShBA-ja ndryshe.
“Ne e shohim ndryshe. Neve s’na njeh hic Serbia, ne e kemi shtet armiqësor. Kurse, ShBA-të kanë pikëvështrim tjetër. Ajo e sheh Serbinë se si ta shkëput prej Rusisë, kurse ne nuk veprojmë drejt atij qëllimi”, është shprehur Konjufca në Rubikon.
Tutje, ai tërhoqi një paralele në kohën kur partia të cilës i takon Konjufca, Vetëvendosje, e kundërshtonte Planin e Ahtisarit, duke thënë se ShBA-ja e përkrahte atë plan.
“ShBA-ja e përkrahte atë plan dhe kur them unë se po e refuzoj Planin e Ahtisarit se nuk po dua që serbët ta bllokojnë kushtetutën dhe parlamentin, ti s’mund të më quash mua anti-amerikan sepse unë po lypi më shumë për vendin tim”, është shprehur Konjufca,
22.10 Konjufca: Në bazë, plani franko-gjerman është i mirë për zgjidhjen e relacioneve Kosovë-Serbi
Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka thënë se plani franko-gjerman, në bazë, është i mirë për zgjidhjen e relacioneve Kosovë-Serbi.
“Të gjitha ato rezervat që i kemi, paraprihen prej fjalisë me të cilën fillon që ky është një plan, në bazë është një plan i mirë për t’i zgjidhur deri në njohjen e plotë në relacionin në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Konjufca në Rubikon.
Ai tha se Serbia e ka refuzuar këtë plan, por edhe nëse e nënshkruan, Kosova s’duhet të krijojë iluzione, pasi, sipas tij, ajo në çdo moment mund ta “thyej” atë marrëveshje.
“Ne po supozojmë që po nënshkruhet kjo marrëveshje, edhe pse po më duket që po flasim në ajër, pasi Serbia e ka refuzuar, nuk e di çfarë pasojash mund të ketë ajo që e ka refuzuar, por nuk po shoh kurrfarë pasojash nga bashkësia ndërkombëtare. Edhe kur Kosova e nënshkruan, edhe kur Serbia e nënshkruan, ne s’duhet të futemi në iluzione sepse Serbia në çdo moment mund ta thyejë këtë marrëveshje”, ka shtuar ai.
22.00 Konjufca: Kurti i ka dërguar mendimet e tij rreth planit franko-gjerman
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, i ka dërguar mendimet e tij sa i përket planit franko-gjerman të propozuar për normalizimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ne emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka shtuar se plani në fjalë në thelb do t’i zgjidhte problemet ndërmjet të dyja vendeve deri në njohjen reciproke.
“Kurti i ka dërguar mendimet e tij rreth këtij plani dhe të gjitha ato rezerva që i kemi e kanë fjalinë e parë – paraprihet prej fjalisë me të cilën fillon që është – ky në bazë është një plan për me i zgjidh deri në njohjen e plotë relacionin në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
“Kjo është një bazë e mirë për të çuar në një njohje mes Kosovës dhe Serbisë deri në njohjen reciproke”.
“Është sikur me thënë është 95 për qind dhe në fund Serbia ka kërkuar siç duket se para se të hyjë në Bashkimin Evropian, detyrohet ta çojë edhe njohjen verbale sepse me sa e di ky është kusht i BE-së”.
Sipas tij, Kosova nuk humb diçka pa këtë njohje verbale.
“Një gjë duhet ta kemi parasysh, po supozojmë se po nënshkruhet kjo marrëveshje, nuk e di se çfarë pasoja mund të ketë Serbia që e ka refuzuar planin franko-gjerman, por nuk po shoh kurrfarë pasojash nga bashkësia ndërkombëtare”.
21.40 Konjufca: Esenca e planit franko-gjerman është që Serbia të heqë dorë nga pretendimet ndaj Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ka folur rreth planit franko-gjerman.
Konjufca tha në emisionin Rubikon se esenca e këtij plani është që Serbia të heqë dorë nga pretendimet ndaj Kosovës.
“Tash kur po e sheh që Serbia po afrohet një zgjidhje me Kosovën, me ç’rast bashkësia ndërkombëtare, më të fuqishme evropiane si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë pozicionimin e qartë. Do t’ia propozojnë Serbisë një plan, i cili në thelb nëse do ta përkthesh se çka i bie ai plan, është të heq dorë ndaj pretendimet e saj ndaj Kosovës”, tha Konjufca.
21.35 Konjufca: Serbia po kalon nga Plani A në Planin B, hallin e ka te propozimi franko-gjerman
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se bojkotimi i organizuar i institucioneve të Kosovës nga serbët, është një skenar i gjerë i Serbisë me dirigjent presidentin Aleksandar Vuçiq. Sipas Konjufcës, Serbia e ka hallin te propozimi frank-gjerman.
Ai ka deklaruar se targat nuk lidhen esencialisht me zhvillimet që po ndodhin.
Kryetari i Kuvendit ka thënë se targat janë vetëm një shkas për të arritur një rezultat.
“Unë mendoj që kjo ka pasur me ndodh herëdokur por Serbisë i është nevojitur një shkas. Kësaj radhe shkasin e ka gjetur te targat. Nëse e bëni një krahasim të humbjeve që i ka përjetuar Serbia me targat, ato të mëparshmet kanë qenë më substanciale”, ka thënë Konjufca në Klan Kosova.
Ai ka thënë se Serbia po kalon nga Plani A në Planin B për Kosovën.
“Targat më shumë janë shkasi i një beteje që Serbia e ka filluar, apo më mirë kalim në Planin B nga Plani A që e ka pasur Kosovën”, ka thënë Konjufca.