Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, në 25-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, e cila u zhvillua në Gllogjan, ka thënë se sakrifica sublime e dëshmorëve të rënë përveçse udhërrëfyese e përhershme, mbetet edhe amanet për brezat e ardhshëm që ta duan me zemër, ta ndërtojnë, zhvillojnë dhe mbrojnë Kosovën.
“25 vite më parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi betejë të ashpër frontale në Gllogjan të Deçanit me forcat agresore të Serbisë. Sot nderuam me pietet kujtimin e dëshmorëve të Epopesë së Dukagjinit – Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj. Sakrifica e tyre sublime, përveçse udhërrëfyese e përhershme, mbetet edhe amanet për ne dhe brezat e ardhshëm që ta duam me zemër, ta ndërtojmë, zhvillojmë dhe mbrojmë Republikën e Kosovës. Ata sot na mungojnë, por heroizmi i tyre duhet të nderohet e respektohet përjetësisht! I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë të rënëve në altarin e lirisë! Lavdi”, ka thënë Konjufca.
Theksojmë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kabinetin e tij qeveritar, sot ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit dhe 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s.
Pas homazheve, kryeministri Kurti ka shkruar edhe në librin e përkujtimeve, ku është shprehur se dëshmorët janë dëshmia historike e popullit shqiptar “për të jetuar në paqe në vendin e vet”.
Homazhe, përveç Kurtit kanë bërë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe pjesëtarë të FSK-së.
Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale ndërmjet forcave të UÇK-së dhe forcave të Serbisë, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin. Synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.
Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.


