Policia e Kosovës të enjten ka konfiskuar 144 paketime të barnave që dyshohet se janë të dëmshme.
Siç thuhet në raportin 24-orësh të policisë, paketimet e barnave janë konfiskuar pasi që njësitet policore në koordinim me inspektorët farmaceutikë, kanë kontrolluar tri barnatore në tri lokacione të ndryshme, pronë e një të dyshuari në Pejë.
Nuk është bërë e ditur se për çfarë lloji të produkteve mjekësore bëhet fjalë, ndërkohë që i dyshuari thuhet se është liruar në procedurë të rregullt.
“Në bazë të urdhëresës së gjykatës kompetente, njësitet policore në koordinim me inspektorët farmaceutik, kanë kontrolluar tri barnatore në tri lokacione-pronë e të dyshuarit kosovar. Gjatë kontrollit janë gjetur e konfiskuar 144-paketime të barnave të ndryshme. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.
Rasti është cilësuar si “Prodhim dhe shpërndarje e produkteve të dëmshme mjekësore”.