Komuna e Gjilanit është vlerësuar lartë për performancën e saj në raportin e fundit të performancës komunale nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Sipas këtij raporti, i bazuar në Sistemin Elektronik të Menaxhimit të Performancës Komunale, Gjilani ka arritur rezultate të shkëlqyera në disa fusha kryesore të shërbimeve për qytetarët dhe qeverisjes lokale.
Në bazë të këtij vlerësimi, Komuna e Gjilanit është renditur e para në disa fusha dhe indikatorë të rëndësishëm. Ajo ka marrë vlerësimin maksimal me 100 pikë në kategoritë e infrastrukturës rrugore, hapësirave publike, dhe kulturës, rinisë dhe sportit. Po ashtu, Gjilani ka shënuar rezultate të shkëlqyera edhe në fushat e shërbimeve publike, administratës, transparencës komunale, barazisë në punësim, si dhe shërbimeve sociale dhe familjare.
Ky raport thekson angazhimin e vazhdueshëm të Komunës së Gjilanit për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët e saj.


