Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur në Komunën e Drenasit se dy operatorë ekonomikë ishin shpërblyer me kontrata, ani pse iu kishte munguar plotësimi i kërkesave të kërkuara sipas dosjes së tenderit.
Te kontrata “Ndërtimi, zgjerimi dhe rikonstruimi i rrugëve të asflatuara në Drenas – projekt dy vjeçar (Rrugës tre-katër korsi (Rikonstruimi) Rruga Fehmi dhe Xhevë Lladrovci), në vlerë të kontraktuar 1,018,239 euro, në dosjen e tenderit janë kërkuar raportet e auditimit për vitet 2023, 2022 dhe 2021, ndërsa operatori ekonomik ka paraqitur raportet e rishikimit të pasqyrave financiare vjetore.
Te kontrata “Ndërtimi i aneksit të ShFMU “Rilindja” në Dobroshec në vlerë të kontraktuar 26,978 euro, operatori ekonomik fitues në ofertën e tij nuk ka dorëzuar sigurinë e tenderit.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2024, kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së funksionimit të kontrolleve të brendshme në fushën e prokurimit.
“Kontraktimi i Operatorëve Ekonomikë pa i përmbushur kriteret e vendosura në dosjen e tenderit ndikon në transparencën, konkurrencën e procesit të mirëfilltë të prokurimit dhe mund të ndikojë që kontrata të mos realizohet sipas kushteve të parapara”- thuhet në raportin e ZKA për Drenasin.
ZKA i ka rekomanduar kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci që të sigurojë forcimin e kontrolleve në fushën e prokurimit, në mënyrë që vlerësimi i ofertave të bëhet në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e vendosura në dosjet e tenderit dhe në pajtueshmëri me kërkesat ligjore.
“Po ashtu përmes zyrtarëve përgjegjës të sigurojë se anëtarët e komisioneve i kuptojnë detyrat dhe përgjegjësitë në procesin e vlerësimit të ofertave përkatëse dhe në rast të gabimeve eventuale këto të evidentohen nga zyrtarët e prokurimit para nënshkrimit të raportit të vlerësimit” – kanë shtuar në rekomandimin e tyre nga ZKA.
Komuna e Drenasit është pajtuar me këtë gjetje të auditorit.
Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë opinion të kualifikuar Komunës së Drenasit në Raportin e auditimit për Pasqyrat financiare për vitin 2024. Opinioni i kualifikuar është opinioni i dytë më i mirë që iu jepet institucioneve pas opinionit të pamodifikuar. Ky opinion jepet kur ka keqdeklarime dhe mospajtueshmëri në pasqyrat financiare.
Baza e opinionit të kualifikuar të ZKA-së për Komunën e Drenasit kanë qenë gjetjet si: keqklasifikimi i shpenzimeve, nënvlerësimi i pasurive jokapitale, mangësi në pranimin e shërbimeve, mangësi në zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit, tejkalime kontraktuale dhe mangësi në fushën e të hyrave.
Në raportin e vitit 2024, Komuna e Drenasit ka marrë 11 rekomandime, prej tyre 7 janë rekomandime të reja dhe 4 të përsëritura.
Zyra Kombëtare e Auditimit në vitin 2023 i kishte dhënë Komunës së Drenasit kishte marrë 5 rekomandime kryesore. Deri në fund të auditimit të ZKA-së për vitin 2024, një rekomandim është zbatuar dhe 4 nuk janë adresuar ende.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Drenasit në vitin 2024 mund të gjeni KËTU.