Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Mbledhja është zhvilluar nga ky komision parlamentar.
Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë anëtarët e Komisionit për Legjislacion, me përjashtim të deputetes Doarsa Kica-Xhelili, e cila ka munguar.
Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kandidatëve, Komisioni ka vendosur që Kuvendit të Kosovës t’ia propozojë dy kandidatë nga radhët e komunitetit shqiptar për një pozitë, si dhe katër kandidatë nga radhët e komunitetit serb për dy pozita.
Nga kandidatët shqiptarë, më së shumti pikë kanë marrë Bashkim Hyseni me 100 pikë dhe Ilire Vitija-Bajraktari me 98 pikë, duke u renditur si dy kandidatët me rezultatin më të lartë në këtë kategori.
Ndërkaq, nga kandidatët e komunitetit serb, rezultatet më të larta i kanë marrë Miljena Djeriq me 76 pikë, Zorica Petkoviq me 69 pikë, Ivana Miljeknoviq me 62 pikë dhe Bovan Aleksiq me 60 pikë, të cilët pritet t’i propozohen Kuvendit për votim për dy pozitat e parapara për këtë komunitet.
Sipas tabelës së pikëzimit të prezantuar në mbledhje, kandidatët janë vlerësuar nga anëtarët e Komisionit përmes sistemit të poentimit individual, ndërsa renditja përfundimtare është nxjerrë mbi bazën e shumës së pikëve të marra nga secili kandidat.
Në listën e kandidatëve të vlerësuar kanë qenë gjithsej 23 kandidatë. Prej tyre, te kandidatët shqiptarë, pas Bashkim Hysenit dhe Ilire Vitija-Bajraktarit, janë renditur edhe Milot Krasniqi, Taulant Rexhbeqaj, Lutfi Shala, Drilon Haraqija, Florentina Shala-Braha, Ylber Fetahaj, Kujtim Krasniqi, Nexhat Haziri, Novitet Nezaj, Gëzim Mehmeti, Vehbi Behluli, Edita Qanta, Ramadan Gashi, Fatime Dërmaku, Avni Qerimi, si dhe Ramadan Gashi.
Kandidatët e rekomanduar pritet që në fazën e ardhshme t’i procedohen Kuvendit të Kosovës për votim./BetimipërDrejtësi



