Komisioni Evropian ka publikuar raportin “screening” për Shqipërinë, një vit pas hapjes së negociatave Shqipëri-Bashkimi Evropian dhe përfundimit të raundit të parë të takimeve.
Në raport është evidentuar rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së, problematikat kryesore në vend, por edhe arritjet në reforma kyçe.
Raporti screening i Komisionit Evropian po ashtu paraqet paraqitur rekomandimet për hapat pasardhës që duhen ndërmarrë në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim.
Raporti nis me gjetjen se Shqipëria ka vendosur në rendin e saj kushtetues themelet e një shteti demokratik dhe po ndjek konsolidimin e institucioneve të saj demokratike, ndërsa më pas ndalet tek zgjedhjet dhe financimi i fushatave.
“Kuadri ligjor dhe institucional lejon një proces zgjedhor demokratik. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të adresuar disa paqartësi ligjore dhe mospërputhje të theksuara nga OSBE/ODIHR-i, si dhe rekomandime të tjera të përbashkëta të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Legjislacioni për mediat në fushatat zgjedhore, veçanërisht për dezinformimin dhe platformat online duhet të forcohet më tej. Për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, rishikimi i kuadrit legjislativ parashikon më shumë transparencë, por kapacitetet zbatuese duhet të konsolidohen”, thuhet në raport.


