Komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, gjeneralmajorin Angelo Michele Ristuccia, pak kohë më parë ka arritur në objektin e Qeverisë së Kosovës, me ç’rat ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti.
Ky takim është zhvilluar pak kohë para se Kurti doli në konferencë për media, ku do të flasë për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, respektivisht në pjesën veriore të vendit.
Zyrtarët serbë në veri të Kosovës dje dhe sot kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe.
Madje edhe dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjen e tyre në Kuvendin e Kosovës
Kryeministri Albin Kurti është pyetur për këtë çështje nga gazetarët gjatë një forumi që u mbajt paradite, por ka thënë se lidhur me këtë çështje do të mbaj një konferencë të veçantë për medie, ku do të paraqes qëndrimet e tij.
Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tre fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe./KosovaNews/





