Elmedina Kukaj: “Asnjë komandant nuk është mbi ligjin – kërkoj drejtësi dhe mbrojtje ligjore”
Një rast i rëndë dhune është denoncuar nga qytetarja Elmedina Kukaj nga Prizreni, e cila ka deklaruar se është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me armë të ftohtë në lokalin e saj familjar “Elif Fast Food”, që operon në lagjen “Reshat Karajdigu” të Prizrenit që nga viti 1984.
Në postimin e saj publik në Facebook, Kukaj ka treguar se sulmi ka ndodhur më 5 nëntor 2025, rreth orës 22:10, kur në lokal ka hyrë një person që më vonë u identifikua si Halil Ademaj, i njohur me nofkën “Komandant Tigri”.
“Pa asnjë arsye filloi të më shajë, ofendojë dhe kërcënojë, duke bërtitur në gjuhën serbe dhe shqipe me tone agresive. M’u afrua duke më thënë ‘Unë jam Komandant Tigri’ dhe më sulmoi fizikisht”, ka shkruar ajo.
Në një përgjigje të dhënë për KosovaNews, Elmedina ka thënë se personin nuk e kishte parë asnjëherë më parë.
“Jo, kurrë në jetë s’e kam takuar. Në biznesin e prindërve punoj gati dy vite, por këtë person s’e kam parë asnjëherë. Në fillim mendova që është ndonjë minoritet boshnjak apo goran, se fliste serbisht. E kam pritur si çdo klient tjetër”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, agresori mbante me vete një thikë në çantë, me të cilën ka tentuar ta sulmojë, ndërsa situata është neutralizuar vetëm pas ndërhyrjes së një kolegu dhe një klienti të rastit.
Rasti është raportuar menjëherë në Policinë e Kosovës, mirëpo, sipas Kukajt, agresori nuk është arrestuar.
Në një përgjigje dhënë për KosovaNews, ajo shton se reagimi i policëve në vendngjarje e ka lënë të tronditur.
“Më sulmoi me thikë, por policia nuk e arrestoi. Më thanë: ‘Ai ashtu është, krejt e njohim, mos e merr afër zemrës, s’kemi çka i bëjmë’”, ka thënë Kukaj.
E tronditur me këtë përgjigje, ajo ka dërguar ankesë zyrtare në Inspektoratin Policor të Kosovës, duke kërkuar hetim ndaj zyrtarëve që kanë trajtuar rastin.
Në ankesën e saj, Kukaj thekson:
“Ky veprim dhe neglizhencë paraqet shkelje të rëndë të detyrës zyrtare dhe cenim të besimit të qytetarëve në institucionet e sigurisë. Një person që mban armë të ftohtë dhe sulmon një grua në vendin e punës nuk mund të lihet i lirë me justifikime të tilla.”
Në lidhje me rastin, KosovaNews ka kontaktuar Policinë e Kosovës në Prizren, e cila ka konfirmuar se ngjarja është regjistruar dhe se i dyshuari është ende në kërkim.
“Më datën 05.11.2025, rreth orës 22:40, viktima F.Sh.K. ka raportuar në polici se është sulmuar dhe kanosur nga M.Sh.K. Sipas deklaratës së saj, i dyshuari kishte një thikë me vete, me të cilën e kishte kanosur, dhe më pas ishte larguar në drejtim të panjohur. Policia ka reaguar menjëherë duke marrë deklaratën e viktimës dhe duke njoftuar prokurorin e shtetit. Me urdhër të tij është filluar hetimi për veprat penale ‘Sulm’ dhe ‘Kanosje’. Rasti është në procedurë hetimore. I dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe është në kërkim,” – ka deklaruar për KosovaNews zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.
Në fund të reagimit të saj publik, Elmedina Kukaj ka përsëritur thirrjen për drejtësi dhe siguri për gratë në vendin e punës.
“Dhuna nuk justifikohet, pavarësisht prej kujt vjen. Asnjë ‘komandant’ nuk është mbi ligjin. Kërkoj drejtësi, transparencë dhe mbrojtje ligjore në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës.”


