Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në mbledhjen e 301-të, të mbajtur të martën, ka shpallur konkurs për kryetar të Gjykatës Supreme.
Deri tek shpallja e këtij konkursi ka ardhur pas dorëheqjes së ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, gjyqtarit Enver Peci.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj kishte njoftuar se Këshilli ka miratuar dorëheqjen e ish-kryetarit Peci nga kjo pozitë, pasi i njëjti është rekomanduar për dekretim tek presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si gjyqtar në Gjykatë Kushtetuese.
Më 24 nëntor 2022, Kuvendi i Kosovës i ka propozuar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, emërimin e Enver Pecit si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Presidentja Osmani me 16 dhjetor ka dekretuar këtë të fundit si gjykatës të Gjykatës Kushtetuese.
Ndryshe, pas dorëheqjes së Enver Pecit, gjyqtarja Mejreme Memaj është zgjedhur ushtruese e detyrës së kryetares së Gjykatës Supreme.
KGJK në këtë takim ka themeluar edhe Komisionin Vlerësues me këtë përbërje: Qerim Ademaj, zëvendës kryesues i KGJK-se, Vilard Bytyqi, anëtar i KGJK-së, Arjeta Sadiku, anëtare, Fahret Velija, anëtar/anëtar rezervë.


