Ushtarët kroatë të Komandës Rajonale të Perëndimit të KFOR-it kanë patrulluar në komunën e Deçanit. KFOR-i njofton se ky aktivitet është bërë me personelin e Gardës skoceze që janë pjesë e forcave rezervë të NATO-s në Kosovë, të cilët gjenden për qëllime të trajnimit.
“Patrullime të tilla ofrojnë prezenë të dukshme dhe qetësuese në tokë, rrisin ndërgjegjësimin për situatën dhe kontribuojnë direkt në stabilitetin rajonal” – thuhet mes tjerash në këtë njoftim.
Sipas KFOR-it, këto patrullime po ashtu forcojnë kohezionin dhe koordinimin mes njësive të KFOR-it.“Si pjesë e detyrave kryesore të KFOR-it, këto operacione demonstrojnë angazhimin e vazhdueshëm të paanshëm të misionit për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në të gjithë rajonin” – thuhet më pas.
KFOR-i ka njoftuar se vazhdon të implementojë mandatin e saj, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo për të ofruar mjedis të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.


