SHFMU “Bajram Curri” në Drenoc të komunës së Malishevës, mori një donacion nga KFOR-i në pajisje të teknologjisë informative.
Komuna e Malishevës njofton se Komanda e rajonit perëndim e KFOR-it, i ka dhuruar sot shkollës ”Bajram Curri”, një donacion në pajisje të teknologjisë informative, përkatësisht 15 llaptop dhe 2 projektor, për nevoja të kabinetit të informatikës dhe për lëndën e teknologjisë informative.
Sipas njoftimit në ceremoninë e dhënies së këtij donacioni, ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, komandanti i Komandës Rajonale Perëndim të KFOR-it, koloneli Mario Bozzi, drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim (DAE) në Malishevë, Arbëreshë Krasniqi.
Me këtë rast, kryetari Kastrati, ka falënderuar KFOR-in për këtë donacion me rëndësi për këtë shkollë, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komunën e Malishevës, në të gjitha fushat.
Po ashtu edhe drejtoresha e DAE, Arbëreshë Krasniqi, e ka falënderuar KFOR-in për këtë donacion shumë domethënës, ndërsa ka kërkuar nga nxënësit, që ta shfrytëzojnë maksimalisht kabinetin e ri të informatikës, për mësim nxënie.
Edhe komandanti i komandës rajonale perëndimore të KFOR-it, koloneli Mario Bozzi, ka shprehur kënaqësinë e tij për realizimin e këtij donacioni, i cili është pjesë e programit të përkrahjes në sistemin e arsimit në Kosovë, si dhe e ka falënderuar komunën për bashkëpunimin e mirë, përderisa ka bërë të ditur se përkrahja e KFOR-it nuk do të mungoj edhe në të ardhmen, thuhet në njoftim.
Me këtë rast kryetari Kastrati dhe drejtoresha Krasniqi, në fund të këtij aktiviteti kanë ndarë mirënjohje për kolonelin Bozzi dhe komandën rajonale perëndim të KFOR-it, për donacionin e pajisjes së kabinetit të informatikës për këtë shkollë.