Këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina, ka reaguar ndaj deklaratave të Gjergj Dedaj lidhur me presidenten, Vjosa Osmani duke e akuzuar se Dedaj ka zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra njësoj si të Serbisë për presidenten Osmani.
Sipas Kupinës, presidentja Osmani nuk është “e ashtuquajtur”, siç e cilëson Serbia dhe Dedaj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës.
Në deklaratën e tij, Kupina e quan Dedajn një person që ka përdorur gënjeshtrën si mjet viktimizimi për të përfituar.
“Gjergj Dedaj paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me Presidenten Osmani, duke e quajtur me të njëjtat fjalë sikurse Serbia. Presidentja Osmani nuk është “e ashtuquajtur”, siç e cilëson Serbia dhe ti Gjergj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës. Ti e di këtë, por s’të pëlqen ky fakt. Prandaj sot e bëre atë që di më së miri: gënjeve”, ka shkruar Kupina në Facebook.
Ai ka thënë se presidentja Osmani nuk e ka hequr Gjergj Dedajn nga posti i tij për të emëruar bashkëshortin e saj në atë pozitë.
Kupina ka thënë se Dedaj ka shkelur ligjet dhe kriteret për të qëndruar në postin e tij.
Po ashtu, Kupina ka përmendur se bashkëshorti i presidentes Osmani as nuk është dhe as nuk ka qenë ambasador.
Në fund, Kupina ka akuzuar Dedajn për kërcënime me jetë që i ka bërë publikisht ndaj presidentes dhe familjes së saj dhe ka theksuar se ata janë ende në pritje të drejtësisë për këto kërcënime.
“Ne ende jemi në pritje të drejtësisë për kërcënimet me jetë që i ke bërë publikisht ndaj Presidentes dhe familjes së saj”, ka deklaruar Kupina.
Gjergj Dedaj, është dëshmitari i 33-të (me kodin W03825) në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Dedaj u pyet për karrierën politikë të tij ndër vite, ai u përgjigj duke thënë se nga pozita e fundit, ajo e ambasadorit në Maqedoninë e Veriut, u largua dhunshëm nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sipas tij, e vendosi në atë pozitë burrin e saj, Prindon Sadriun.
Dedaj është ftuar nga Gjykata Speciale javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit.
Dëshmitari Dedaj edhe tani është duke u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gjergj Dedaj është politikan i njohur i cila ka mbajtur pozita të ndryshme në institucionet e Kosovës, ndërsa së fundit ka qenë ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut.
Kujtojmë se Dedaj e kishte akuzuar ish-presidentin Hashim Thaçi se e kishte arrestuar në vitin 1998, derisa po vizitonte civilët në fshatin Qirez të Skenderajt.
Ai disa herë pati paralajmëruar se do të fliste me më tepër detaje mbi rastin që ai e konsideronte krim.
“Hashim Thaçi ishte atëherë drejtor politik i UÇK-së. Ishte njeriu kryesor që në sekondën e parë që jemi ndaluar në Qirez duke folur me fshatarët për nevojat e tyre, për ndihma…Na ka ndaluar Hashim Thaçi me njerëzit e tij, personalisht ai. Thaçin s’e kam njohur kurrë përpara”, kishte shtuar Dedaj për KTV-në vite me parë.
Thaçi është i akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime gjatë luftës.


