Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, se zgjedhjet për pushtetin komunal në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe duhet të shtyhen dhe se për këtë çështje do të diskutojë më udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen.
Në intervistën me shefin e shërbimit shqiptar të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, të cilën të plotë mund të ndiqni të premten në emisionin Ditari, zoti Chollet tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit. Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”.