Prokuroria Themelore në Pejë, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Tush Frroku, për vrasjen e ndodhur më 7 gusht 2023 në një lokal në Klinë.
Lajmin e ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
“është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori i shtetit ka dorëzuar kërkesën në Departamentin për Krime të Rënda. Njëkohësisht, gjatë ditës së sotme do të mbahet seanca e procedurës paraprake, do të shqyrtohet kërkesa e prokurorit të shtetit që t’i caktohet masa e paraburgimit personit të pandehur, Tush Frrokaj”, tha Nikçi.
Ndryshe, Frroku është dorëzuar të martën në Polici dhe është dëguar në ndalim prej 48 orësh.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar dje, se i dyshuari Frroku ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë, Dega në Klinë, për veprën penale “Ndryshim i njehësorit të shërbimeve” dhe tri vepra penale “Vjedhje e rëndë.
Edhe Prokuroria Themelore në Pejë, kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se Frroku është akuzuar edhe për dy vepra penale dhe se ndaj tij kishte procedurë për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Prokuroria bëri të ditur se në vitin 2012 kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”. Po ashtu, ndaj tij ishte ngritur edhe aktakuzë për veprën penale “Vjedhje e shërbimeve”.
Që nga 7 gushti 2023, Policia e Kosovës, e kishte shpallur në kërkim të dyshuarin Frroku, për vrasjen e ndodhur nё rrugën “Leonard Palucaj”- Klinё, më 7 gusht 2023. Policia kishte njoftuar se i dyshuari është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe nën kërcënim të armës ka grabitur më pas një veturë duke u larguar në drejtim të Gurrakocit, raporton Betimi për Drejtësi.
Policia ishte vënë në ndjekje të tij dhe në fshatin Kosh të Istogut është gjetur vetura e braktisur.
Ndryshe, viktima fillimisht ishte plagosur, por kishte ndërruar më pas jetë në Qëndrën e Mjekësisë Famljare në Klinë.
“Me vendim tё prokurorit tё shtetit trupi i pajetë i viktimёs dërgohet ne institutin e mjekёsisё ligjore nё Prishtinё pёr obduksion”, thuhej në njoftimin e Policisë.


