Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për një takim konsultativ gjithëpërfshirës, për të dalë vendi nga ngërçi politik për shkak të dështimit të konstituimit të legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Bekim Kupina, këshilltar për media pranë Presidencës, ka thënë për KosovaPress, se presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmërinë e plotë qe nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike nëse ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë.
“Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike, për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, ka thënë Kupina.
Partitë parlamentare po presin nga Osmani të përfshihet për zgjidhjen e krizës politike në vend. Subjektet janë shprehur të hapura për të marrë pjesë në ndonjë takim të ftuar nga e para e vendit për daljen nga ngërçi në Kuvend dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.
Kuvendi i Kosovës – që nga 15 prilli kur është thirrur seanca konstituive – ka dështuar dymbëdhjetë herë radhazi të konstituojë legjislaturën e nëntë, ndërsa nesër është tentimi numër trembëdhjetë.
Procesi ka ngecur të zgjedhja e kryeparlamentarit, pasi Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa – nuk po mund t’i sigurojnë 61 votat për Albulena Haxhiun e cila është propozuar për kryetare të Kuvendit.
Kundër propozimit të tyre për këtë post po votojnë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë.
Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk po marrin pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e ka bërë deri tani edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.
PDK dhe AAK po kërkojnë ndryshimin e kandidatit nga LVV-ja për të gjetur një zgjidhje, ndërsa LDK është kundër votimit të çfarëdo kandidati nga LVV-ja.