Kryetari i Degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi është deklaruar i pafajshëm se ka keqpërdorur pozitën zyrtare kur ka emëruar bashkëpartiakun e tij, Liridon Sallaukën në pozitën e Kryesuesit të Bordit të Drejtorëve në kompaninë “Eko Regjioni” dhe ka dëmtuar Bujar Dakajn duke e shkarkuar nga pozita publike.
Krasniqi akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare kur si Kryetar i Komisionit Komunal të Aksionarëve në K.R.M “Eko Regjioni” kishte shkarkuar Dakajn dhe pastaj kishte emëruar përkohësisht Sallaukën në pozitë publike pasi i njëjti ishte sekretar i Përgjithshëm i AAK-së në Prizren.
Këtë deklarim, Krasniqi e ka bërë të premten në shqyrtimin fillestar të mbajtur pranë Gjykatës Themelore në Prizren.
Gjykatësja Raima Elezi, njoftoi të akuzuarin Krasniqi se ka të drejtë të paraqesë kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Pas kësaj, Elezi tha se lidhur me kërkesat e palëve do të vendosë jashtë seancës dhe shqyrtimin fillestar e shpalli të përfunduar.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj Besnik Krasniqit se më 20 qershor 2022, në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragraf 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Për dallaveret e bëra në Kompaninë Rajonale për Mbeturina “Ekoregjioni”sh.a. në Prizren, ka raportuar ditë më parë KosovaNews. Shkeljet e gjetura në këtë ndërmarrje janë bërë shkaktar i nisjes së hetimeve dhe tashmë ngritjes së një aktakuze ndaj kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prizren, Besnik Krasniqi, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
E gjitha nisi vetëm pak kohë pasi që Besnik Krasniqi nga një zyrtar i AAK-së është zgjedhur kryetar i Degës së kësaj partie në Prizren.
Më saktësisht Krasniqi mori drejtimin e partisë në muajin maj të vitit 2022, kurse u ngarkua edhe me pozita institucionale në komunë sipas pëlqimit të kryetarit aktual të komunës që vjen nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj.
Besnik Krasniqit iu besua pozita e kryetarit të Komisionit Komunal të aksionarëve të “Eko-Regjionit”, në komunën e Prizrenit dhe kështu filloi të merrte edhe kontrollin në ndërmarrjet publike. Ai nisi të hiqte nga pozitat drejtuese persona të caktuar dhe të vendoste në vend të tyre persona të afërt me të, në këtë rast zyrtarë të lartë të AAK-së.


