Katër raste të dhunës ndaj grave janë raportuar së fundmi në komuna të ndryshme të Kosovës, ku në disa raste të dyshuarit ndodhen ende në kërkim nga Policia.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës në Podujevë, më 22 qershor 2025 rreth orës 22:30, është raportuar një rast dhune pas një mosmarrëveshjeje, ku një burrë kosovar dyshohet se ka sulmuar një grua kosovare. Viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar më 24 qershor dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në Prishtinë, më 24 qershor rreth orës 00:00, është raportuar një tjetër rast ku një burrë kosovar dyshohet për dhunë ndaj një gruaje. I dyshuari është aktualisht në kërkim policor, ndërsa rasti është nën hetim nga Prokuroria.
Një rast i ngjashëm është raportuar edhe në Fushë Kosovë më 23 qershor në orën 07:30. Edhe në këtë rast, një burrë kosovar dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje, dhe ndodhet në kërkim nga autoritetet. Prokurori është informuar lidhur me ngjarjen.
Ndërkaq në Ferizaj, më 17 qershor, është raportuar se dy persona dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Njëri prej të dyshuarve është arrestuar dhe ndodhet në mbajtje, ndërsa hetimet po vazhdojnë thuhet në raportin 24 orësh të policisë.