Për herën e pestë do të mbahen zgjedhjet në komunë të Preshevës.
Kryetari i koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberi, përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se “nesër sërish po hyjmë në betejë mes të pabarabartëve”.
“Zgjedhje për ta përmbyllur me sukses betejën tonë të stërgjatur për përfaqësim të denjë. Betejë e cila po zgjatet për muaj, jo me fajin tonë, por me fajin e atyre që nuk dëshirojnë të na shohin politikisht aktiv. Me fajin e atyre që na dëshirojnë të heshtur. E kur je i heshtur je i harruar. Nesër sërish po hyjmë në betejë mes të pabarabartëve”, ka shkruar ai.
Kamberi ka theksuar se po luftojnë për barazi, e jo për karrige.
“Jemi në luftë, jo thjesht për të zgjedhur një deputet, por për drejtësi, barazi e liri. Nuk po kërkojmë asgjë më tepër veç trajtimit të barabartë si qytetarë, trajtim të dinjitetshëm dhe të drejta jetike”, ka shkruar tutje Kamberi.
Duke iu drejtuar bashkëfshatarëve të tij në Tërnoc, Kamberi tha se në mossuksesin e nesërm tragjikja nuk do të mbetet humbja e një vend pune, por humbja e zërit të arsyes dhe zërit përfaqësues.
Kamberi iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë.
“Presim mbështetje maksimale për numrin 16 për Koalicionin e shqiptarëve të Luginës”, ka shkruar ai.