Të paktën 30 persona janë vrarë në një sulm izraelit pranë një qendre të shpërndarjes së ndihmave të drejtuar nga një organizatë e mbështetur nga SHBA.
Izraeli nuk ka ofruar asnjë koment të menjëhershëm për sulmin e raportuar, për të cilin agjencia palestineze e lajmeve WAFA thotë se la më shumë se 115 të plagosur.
Raportet dolën pasi një spital i drejtuar nga Kryqi i Kuq tha se të paktën 21 njerëz janë vrarë dhe 175 të tjerë janë plagosur teksa shkuan për të marrë ndihmë nga i njëjti fondacion – i cili mbështetet nga Izraeli dhe SHBA.
Ibrahim Abu Saoud, dëshmitar okular, tha se forcat izraelite hapën zjarr ndaj njerëzve që lëviznin drejt qendrës së shpërndarjes së ndihmës, shkruan skynews.
“Kishte shumë dëshmorë, përfshirë edhe gra”, tha 40-vjeçari.
“Ne ishim rreth 300 metra larg nga ushtria.”
Abu Saoud tha se kishte parë shumë njerëz me plagë me armë zjarri, duke përfshirë një të ri për të cilin tha se kishte vdekur në vendngjarje.
Lexo po ashtuHamasi i përgjigjet planit të SHBA-së për armëpushim në Gaza
“Ne nuk ishim në gjendje ta ndihmonim atë”, tha ai.
Mohammed Abu Teaima, 33 vjeç, tha se pa forcat izraelite të hapnin zjarr dhe të vrisnin kushëririn e tij dhe një grua tjetër ndërsa po shkonin për në qendër.
“Ata hapën zjarr të fortë direkt drejt nesh”, tha ai ndërsa po priste jashtë spitalit të Kryqit të Kuq për të folur për të afërmin e tij të plagosur.
Raportohet se Fondacioni Humanitar i Gazës operon si pjesë e një sistemi të diskutueshëm ndihme, për të cilin Izraeli dhe SHBA pretendojnë se ka për qëllim parandalimin e Hamasit nga marrja e ndihmës.
Shpërndarja e ndihmave nga fondacioni është dëmtuar nga kaosi dhe dëshmitarë të shumtë kanë thënë se trupat izraelite qëlluan mbi turmat pranë vendeve të dorëzimit.
Ekspertët kanë paralajmëruar se territori palestinez është në rrezik nga uria nëse nuk jepet më shumë ndihma