Izraeli e ka konfirmuar vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, raporton “BBC”.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, e ka konfirmuar vrasjen në një mesazh që u ka dërguar disa homologëve të tij nëpër botë.
Ai ka thënë se lideri i Hamasit u vra të nga ushtarët izraelitë, ndërsa e përshkroi atë si “organizator prapa masakrës dhe mizorive” të 7 tetorit.
“Është një arritje e madhe ushtarake dhe morale për Izraelin dhe një fitore për gjithë botën e lirë kundër boshtit të së keqes të islamit radikal të udhëhequr nga Irani. Eliminimi i Sinwarit hap mundësinë për lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe hap rrugën për një ndryshim që do të çojë në një realitet të ri në Gaza – pa Hamas dhe pa kontroll iranian”, ka shkruar Katz.
Vrasjen e ka konfirmuar edhe Ushtria e Izraelit.
“IDF-ja dhe ISA-ja konfirmojnë se pas një ndjekjeje njëvjeçare dje (e mërkurë) më 16 tetor 2024, ushtarët e IDF-së nga Komanda Jugore eliminuan Yahya Sinwarin, liderin e organizatës terroriste Hamas, në një operacion në jug të Rripit të Gazës. Yahya Sinwar planifikoi dhe ekzekutoi masakrën e 7 tetorit, promovoi ideologjinë e tij vrastare para dhe gjatë luftës, dhe ishte përgjegjës për vrasjen dhe rrëmbimin e shumë izraelitëve”, thuhet në komunikatë të IDF-së dhe ISA-së.
E presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka lavdëruar forcat izraelite për vrasjen e liderit të Hamasit.
Në një postim në platformën “X” ai e ka akuzuar Sinwarin për “aktet e tmerrshme të terrorizmit kundër civilëve izraelitë, qytetarëve të vendeve të tjera dhe vrasjes së mijëra njerëzve të pafajshëm”.
Tha se Sinwar ishte i përkushtuar “për terror, gjakderdhje dhe destabilizim të Lindjes së Mesme”.
“Tash, më tepër se kurrë, duhet të veprojmë në çdo mënyrë të mundshme për t’i rikthyer 101 pengje që ende mbahen në kushte të tmerrshme në Gaza nga terroristët e Hamasit”, thuhet në postim.
E sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se nuk do t’ia ndiente mungesën Sinwarit. Ai ka thënë se dihet gjerësisht se Sinwar “ishte arkitekti i sulmeve terroriste të 7 tetorit të vitit 2023 ndaj Izraelit”.
“Unë i kam dënuar, të gjithë aleatët i kanë dënuar. Çdo shpirt i arsyeshëm në botë i ka dënuar ata. Pra, nëse ai ka vdekur, mua personalisht s’do të më mungojë”, tha Rutte në konferencë për media në Bruksel të enjten.


