Ushtria izraelite ka ftuar banorët e qytetit të Gazës që të evakuohen nga jugu në Rripin qendror të Gazës, mes operacioneve të intensifikuara në veri.
Fletëpalosjet e hedhura nga aeroplani udhëzojnë “të gjithë në qytetin e Gazës” të largohen nga ajo që përshkruhet si “zonë e rrezikshme luftarake” përmes rrugëve të sigurta të përcaktuara – të shënuara si dy rrugë që të çojnë në strehimore në Deir al-Balah dhe al-Zawaida”.
OKB-ja ka thënë se është thellësisht e shqetësuar për urdhrat e evakuimit që janë dhënë. Është hera e dytë që nga fillimi i luftës që qytetit të Gazës në tërësi i kërkohet të evakuohet.
Gjatë dy javëve të fundit, forcat izraelite kanë rihyrë në disa rrethe ku ushtria beson se Hamasi dhe luftëtarët e Xhihadit Islamik Palestinez janë rigrupuar që nga fillimi i vitit.
Hamasi ka thënë se aktiviteti i ri i Izraelit në qytet po kërcënon të prishë negociatat mbi një armëpushim të mundshëm dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve, e cila rifilloi të mërkurën në Katar. Në bisedime marrin pjesë shefat e inteligjencës së Egjiptit, SHBA-së dhe Izraelit, si dhe kryeministri i Katarit. Vlerësohet se ka më shumë se një çerek milion njerëz që jetojnë ende në qytetin e Gazas.
Në një deklaratë të lëshuar më herët të mërkurën, forcat e mbrojtjes izraelite thanë se, gjatë natës, trupat e saj kishin “kryer një operacion kundër terrorizmit” kundër Hamasit dhe që po vepronin brenda një selie të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë në qytetin e Gazës.
Duke folur në Parlamentin izraelit, të mërkurën, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se 60% e luftëtarëve të Hamasit ishin vrarë ose plagosur, që nga fillimi i ofensivës së Izraelit.
Të martën, Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se ishte “e tmerruar” nga urdhrat e Izrealit për evakuimin e banorëve në “zonat ku operacionet ushtarake izraelite janë në vazhdim dhe ku civilët vazhdojnë të vriten dhe plagosen”. Zyra e OKB-së, gjithashtu, paralajmëroi se zona e Deir al-Balah ishte tashmë e mbipopulluar seriozisht me palestinezë të zhvendosur nga zona të tjera të Gazës dhe se kishte pak infrastrukturë dhe akses të kufizuar në ndihmën humanitare.


