Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe kandidati i LDK-së për deputet në vitin 2019, Xhavit Rexhaj, ka reaguar publikisht për suksesin e Universitetit të Prishtinës në rangimet ndërkombëtare, por njëkohësisht ka adresuar kritika të ashpra për ndërhyrjet politike në arsimin e lartë, veçanërisht për zhvillimet e vitit 2017, shkruan KosovaNews.
Në një postim në rrjete sociale, Rexhaj ka shprehur krenarinë për renditjen e Universitetit të Prishtinës në mesin e 1600 institucioneve më të mira në botë dhe suksesin e Fakultetit të Edukimit, i cili është renditur në pozitën 601 ndër fakultetet simotra. Por përveç urimeve, ai ka shfrytëzuar rastin për të rikujtuar një prej momenteve më të errëta në historinë e pasluftës të arsimit të lartë në Kosovë – ndërhyrjen politike në Agjencinë e Akreditimit në vitin 2017.
“Për fat të keq e kujtojmë të gjithë të zezën që e bëri qeveria e atëhershme e Kosovës me Agjencinë e Akreditimit në vitin 2017 – ende po i vuajmë pasojat!”, shkruan Rexhaj.
Kjo deklaratë bie në sy sidomos për faktin se vjen nga një anëtar i LDK-së, parti që në atë kohë ishte pjesë e opozitës, ndërkohë që pushtetin ekzekutiv e kishin PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate.
Kujtojmë se shkarkimi i Bordit Shtetëror të Cilësisë dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim ndodhi në shtator të vitit 2017, nën drejtimin e ministrit të atëhershëm të Arsimit, Shyqiri Bytyqi – anëtar i Nismës Socialdemokrate.
Ky veprim u ndërmor me kërkesë të kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj (AAK), i cili kishte theksuar ekzistimin e “parregullsive serioze” në procesin e akreditimit.
Shkarkimi në fjalë rezultoi me përjashtimin e Kosovës nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), duke shkaktuar dëme të mëdha në reputacionin ndërkombëtar të institucioneve të arsimit të lartë në vend.
Rexhaj në postimin e tij gjithashtu lavdëroi punën e tre rektorëve të UP-së – Ramadan Zejnullahu, Qerim Qerimi dhe Arben Hajrullahu – si dhe përkushtimin e Agjencisë së Akreditimit dhe organizatave të shoqërisë civile si Koalicioni KITU dhe ORCA.
Ai përfundoi me thirrjen që këta profesionistë dhe institucione të përkrahen dhe të mos politizohen apo pengohen nga shteti, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën.
“Ekipi që punon mirë, duhet përkrahur – jo të injorohet apo të pengohet nga shteti,” përfundon Rexhaj.
/KosovaNews/
Postimi i Plotë:
Fakulteti i Edukimit i UP – me nje kembe ne Evropë U gezova shume sot qe Universiteti i jone i Prishtines u rangua…
Posted by Xhavit Rexhaj on Saturday, May 31, 2025