Ish-diplomati britanik dhe profesori në Universitetin e Cambridget, Timothy Less, ka thënë se viti 2023 do të jetë vit vendimtar për Kosovën.
Less ka folur për dy skenarë të mundshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Sipas tij, skenari i parë, të cilin po e mbështesin fuqishëm amerikanët dhe evropianët, është që “Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës në këmbim të autonomisë së veriut të Kosovës”.
“Një skenar përfshin një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës në të cilën e para njeh të dytën – fillimisht në mënyrë praktike, e më pas edhe formale – në këmbim të autonomisë për veriun e Kosovës. Diplomatët amerikanë dhe evropianë janë fuqishëm në favor të kësaj. Qeveria në Beograd mund të dalë në përfundim se një marrëveshje e tillë është më e mira që Serbia mund të marrë nëse nuk ka alternativa tjera për serbët e Kosovës. Ngjashëm edhe Qeveria në Prishtinë mund të konkludojë se dhënia e autonomisë për serbët është një çmim që ia vlen të paguhet për t’ia mundësuar asaj të nisë lëvizjen e aplikimit të saj drejt anëtarësimit në BE dhe të shmangë përsëritjen e asaj që ndodhi në vitin 2020, kur ajo refuzoi të lëvizte, e që nga SHBA-ja u projektua rënia e Qeverisë”, tha për “Euroneës Serbia”, Less.
Less ka thënë se opsioni i dytë është që Kosova të tentojë ta integrojë veriun, duke shpresuar se Perëndimi do ta pranojë këtë. Në këtë rast ai ka thënë se Serbia mund të tentojë ta shkëpusë veriun, duke vendosur fillimisht barrikada, e më pas duke shpresuar se Perëndimi do ta pranojë lëvizjen e saj.
Por, Less ka thënë se ka shumë gjëra që duhen marrë parasysh në këtë opsion të dytë, përfshirë edhe një konflikt i armatosur.
Eric Gordy, profesor në Univerity College of London, ka thënë se Bashkimi Evropian po e ndien nevojën për të arritur një marrëveshje. Ai ka thënë se është në interes të Rusisë që të nxisë një konflikt të armatosur diku tjetër në Evropë.
“BE-ja ndien urgjencë në rritje për të arritur një marrëveshje dhe do të vazhdojë të propozojë takime, plane e afate, të cilat autoritetet në Beograd e Prishtinë vetëm do t’i ndjekin. Ndërkohë, është në interesin e Rusisë që të nxisë tensione të mëdha apo konflikte të dhunshme thuajse kudo në Evropë, në mënyrë që të largojë Evropën nga lufta në Ukrainë”, tha Gordy.


