Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, ka rrëfyer periudhën kur i ishte bërë atentat në vitin 2000, e ku pastaj ishte dërguar për trajtim mjekësor në Itali.
Ai shkroi në Facebook se ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, që vdiq të hënën në moshën 86-vjeçare, i kishte dalë në ndihmë për trajtim, duke ia mbuluar shpenzimet.
“Ishte viti 2000, ku pas atentatit më dërguan për shërim në Itali, ku qëndrova për 1 vit të plotë. Në Itali më dërguan me plagë të rënda e në koma dhe pothuajse pa shenja jete. Por, zoti dhe Italia më riktheu në jetë. E meritat pse unë sot jam gjallë i takojnë edhe Silvio Berlusconit, qeveria e të cilit i kishte mbuluar të gjitha shpenzimet e trajtimin tim. Sot, ndjej pikëllim për vdekjen e Berlusconit, një mik i madh i shtetit të Kosovës. Zoti e bekoftë”, shkroi Rudi.
Ndaj Rudit ishte kryer atentat në fshatin Bytyq të Drenasit. Ai kishte rrëfyer se një person me maskë e kishte plagosur në krahë. Ai ishte deputet i LDK-së për një mandat.


