Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, protestën e djeshme në veri të vendit e ka quajtur veprim të stimuluar nga Beogradi.
Sipas tij, veprime të tilla minojnë atë që është arritur në më shumë se 10 vitet e fundit dhe tregojnë fytyrën e vërtetë të regjimit të presidentit serb Aleksadar Vuçiqit.
“Ky veprim i stimuluar nga Beogradi minon gjithçka që është arritur në më shumë se 10 vitet e fundit në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Do të thotë se regjimi i Vuçiqit e tregon fytyrën e vërtetë: nuk ka dëshirë për paqe dhe pajtim. Ku të shkojmë….”, ka shkruar Bosch në llogarinë e tij në Facebook.
Të shtunën përfaqësuesit serbë në institucionet qendrore e lokale të Kosovës kanë braktisur postet e tyre. Nisur nga ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, shefi i deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, deputetët e tjerë serbë, kryetarët e komunave me shumicë serbe, e zyrtarët e tjerë administrativë e të organeve të rendit, kanë dhënë dorëheqje të shtunën.


