Pavarësisht raporteve rreth vlerësimeve të inteligjencës amerikane në shtypin amerikan, Donald Trump dhe ekipi i tij i lartë po i përmbahen qëndrimit se objektet bërthamore të Iranit janë shkatërruar.
Dhe këtë e kanë bërë si presidenti amerikan, po ashtu edhe sekretari i tij i shtetit, Marco Rubio.
Rubio ka thënë se Irani është “shumë më larg një arme bërthamore” për shkak të vendimit të Trump për të urdhëruar sulme.
Dhe në një intervistë me Politico, Rubio tha: “Në fund të fundit, ata janë shumë më larg një arme bërthamore sot sesa ishin përpara se presidenti të ndërmerrte këtë veprim të guximshëm”.
“Kjo është gjëja më e rëndësishme për t’u kuptuar – dëme të konsiderueshme, shumë të konsiderueshme iu shkaktuan një sërë komponentësh të ndryshëm, dhe ne thjesht po mësojmë më shumë rreth kësaj”.
Siç është raportuar më herët, një vlerësim i hershëm i inteligjencës ka treguar se sulmet ushtarake amerikane në tre nga objektet bërthamore të Iranit fundjavën e kaluar nuk i shkatërruan komponentët kryesorë të programit bërthamor të Teheranit.
Lidhur me raportet, Rubio tha se ishin “të rreme”.