Te Interi ka nisur zyrtarisht procesi i rinovimit dhe ringjalljes së skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Objektivi kryesor i afatit kalimtar mbetet talenti i Real Madridit, Nico Paz, edhe pse negociatat janë të komplikuara. Pavarësisht kësaj, në zyrat e “Viale della Liberazione” nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga pista dhe puna e bërë deri tani, ndërkohë që paralelisht po zhvillojnë tratativa edhe në fronte të tjera.
Në repartin mbrojtës është rindezur interesi për mbrojtësin e ri Giovanni Leoni, i cili ka shpërthyer këtë sezon te Parma nën drejtimin e Cristian Chivus. Leoni ishte pranë kalimit te Interi edhe verën e kaluar, por negociatat e trazuara bënë që gjithçka të dështonte në momentet e fundit. Tani vlera e tij ka shkuar lart, por gjithashtu ka bërë një hap të madh në aspektin teknik e taktik.
Megjithatë, në listën e zikaltërve për mbrojtjen mbeten edhe emra si Koni De Winter i Genoas dhe Jhon Lucumi dhe Sam Beukema të Bolognas.
Në mesfushë, prioritet është gjetja e një zëvendësuesi për Hakan Calhanoglu, pasi Kristjan Asllani pritet të largohet. Samuele Ricci i Torinos mbetet një nga emrat më të preferuar, por çmimi i lartë dhe interesimi nga Milani mund të komplikojnë operacionin. Në këtë drejtim, Interi po vëzhgon me kujdes edhe danezin Morten Frendrup të Genoas, ndërsa mesfusha pritet të drejtohet nga eksperienca dhe vizioni i Piotr Zielinskit.
Sipas Corriere dello Sport, edhe në sulm priten ndryshime të mëdha. Mehdi Taremi, Joaquin Correa dhe Marko Arnautovic nuk kanë arritur të bindin, përveç disa muajve pozitivë në fillim të vitit 2025, dhe Interi nuk mund të përballojë më mungesën e efikasitetit në repartin sulmues.
Kjo nënkupton që do të ketë dy përforcime të reja për sulmin: për rolin e “sulmuesit të tretë” pas Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram, emri që pëlqehet më shumë është Joshua Zirkzee. Ndërsa për vendin e katërt në sulm, ka marrë shumë vlerësime Georges Bonny nga Parma, një profil që shihet me shumë potencial për të ardhmen.