Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës.
Sipas KQZ-së, deri në përfundim të ditës së mërkurë (10 qershor) janë përfshirë në proces mbi 23 mijë e 300 pako, prej të cilave janë aprovuar 22,601 ndërsa janë refuzuar 755 pako.
Autoriteti zgjedhor bën të ditur se arsyeja më e shpeshtë e refuzimit është mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokumenti me të dhëna unike që u lëshohet votuesve të regjistruar për votim përmes postës.
KQZ thekson se ky proces ka filluar më 9 qershor 2026 dhe ka për qëllim verifikimin nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar në mënyrë të rregullt.
Ndërkohë, më 8 qershor është përmbyllur tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutitë postare në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare në Kosovë. Në total, nga 23 kuti postare janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat tashmë janë sjellë në vend për procesim.
Sipas të dhënave të KQZ-së, gjatë periudhës së regjistrimit (6–17 maj 2026), për votim përmes postës janë regjistruar 104,480 shtetas të Kosovës.
KQZ ka bërë të ditur se pas përfundimit të procesit të vlerësimit, do të publikohen edhe të dhënat përfundimtare për pakot që do të hyjnë në numërim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.



