Inspektorati i Tregut ka filluar inspektimin e pikave shitëse të naftës për të vërtetuar nëse qytetarët po mashtrohen në sasinë e karburanteve që ata paguajnë.
Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, po ashtu ka bërë të ditur se janë duke mbikqyrur se si po bëhen matjet për të vërtetuar nëse litri i deklaruar ka sasinë e saktë.
“Inspektorati i Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me zyrtarët e Agjencisë të Metrologjisë së Kosovës, kanë vazhduar verifikimin e sasisë nëpër pikat e shitjes së derivateve të naftës, me qëllim të parandalimit të çfarëdo mashtrimi që mund të bëhet me sasinë e deklaruar. Përmes etalonëve të kalibruar, nga inxhinierët e metrologjisë, bëhen matjet e duhura me anë të të cilave vërtetohet nëse litri i deklaruar ka sasinë e saktë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Në rastet kur ka devijime, Ministria ka thënë se Inspektorati i Tregut po ndërmerr masat e duhura ndëshkuese ndaj subjekteve që kanë mashtruar konsumatorët.
“Inspektorati i Tregut, do të vijojë të mbikëqyrë tregun me intensitet të shtuar dhe të trajtojë secilën nga ankesat e konsumatorëve, për çfarë edhe i inkurajon ata që të paraqesin parregullsitë që hasin”, thuhet në njoftim.