Kompania hekurudhore “Infrakos” pas aksidenteve të një pas njëshme, u ka bërë thirrje qytetarëve për respektim të rregullave, përkatësisht brezit të sigurisë pranë trupit të hekurudhës dhe të mos afrohen më pak se 3 metra nga trupi i binarit.
“Me këtë rast, Infrakos Sh.A u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugëve, operatorëve të makinerive punuese dhe çdo pale tjetër që gjatë zhvillimit të aktiviteteve të tyre të respektojnë brezin e sigurisë pranë trupit të hekurudhës dhe të mos afrohen më pak se 3 (tre) metra nga trupi i binarit, përveç rasteve kur janë të autorizuar dhe punimet zhvillohen në koordinim me autoritetet përgjegjëse”, thuhet në thirrjen e tyre.
Sipas “Infrakos” respektimi i distancës është i domosdoshëm për funksionimin e sigurt dhe të pandërprerë të sistemit automatik të vendkalimeve hekurudhore, si dhe për garantimin e sigurisë së trafikut hekurudhor dhe atij rrugor.
“Infrakos Sh.A njofton se çdo mosrespektim i brezit të sigurisë pranë infrastrukturës hekurudhore do të monitorohet përmes sistemit të kamerave dhe në rast të konstatimit të shkeljeve, do të ndërmerren veprimet përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë edhe raportimin e rasteve te organet kompetente”, vazhdon kompania.
Dje ka ndodhur një aksident mes veturës dhe trenit në Fushë Kosovë, ku mbeti i lënduar një person.


