Kryetari i delegacionit për bisedime me Serbinë në çështjen e personave të zhdukur, Andin Hoti, djali i Ukshin Hotit, nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ka thënë se Serbia më në fund pranoi krimet e saj shtetërore ndaj popullsisë së pambrojtur të Kosovës, duke i cilësuar të zhdukurit si ‘të zhdukur me dhunë’, që parashihen edhe në konventa ndërkombëtare. Sipas tij, Serbia për herë të parë pranoi përmes një dokumenti zyrtar, t’i hapë arkivat e saj shtetërore, përfshirë edhe ato të klasifikuara.
“Ashtu siç e kam thënë më datë 4 prill, Serbia më në fund pranoi krimet e saj shtetërore ndaj popullsisë së pambrojtur të Kosovës, duke i cilësuar të zhdukurit si ‘të zhdukur me dhunë’, që parashihen edhe në konventa ndërkombëtare.
Serbia për herë të parë pranoi përmes një dokumenti zyrtar, t’i hapë arkivat e saj shtetërore, përfshirë edhe ato të klasifikuara”, ka thënë Hoti.
Ai është i bindur se Deklarata e miratuar është vetëm hapi i parë që kërkon domosdoshmërisht mbikëqyrje dhe presion të vazhdueshëm të SHBA-ve e BE-së mbi Serbinë, për zbatimin obligimeve të marra, deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur në Kosovë.
“Më duhet të theksoj, që ndjej keqardhje për disa raportime tendencioze dhe fyese nga disa ‘media’ dhe individë të caktuar më 4 prill, kur edhe është bërë harmonizimi i deklarates, deri në atë masë sa është përdorur edhe fyerja “gënjen”.
Besoj që sot ndihen të turpëruar, jo para meje, por para të gjithë atyre familjarëve të personave të zhdukur, që i kanë trazuar pamëshirshëm për interesa të ngushta, e besa edhe për të mbajtur quditërisht anën e Serbisë (duke i cituar fjalët e Petkoviç). Përdorimi i çështjes më të ndjeshme në Kosovë për politika ditore e interesa të ngushta, është jo vetëm i papranueshëm, por edhe i turpshëm”, përfundon Hoti.


