Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se një kryeministër kur ballafaqohet me një situatë si të djeshmen, “kërkon nga drejtësia hetim të plotë e të shpejtë, si dhe e vendos veten dhe vartësit e tij në dispozicion të drejtësisë”.
Hoti ka thënë se këto “dyshime” rriten edhe për faktin se kryeministri Kurti “nuk i përgënjeshtron ato për të cilat ndodhën arrestimet, e ku përmendet edhe emri i tij, por i shanë mediat, opozitën dhe organet e drejtësisë”, ka shkruar Hoti”.
“Duket se kjo paska qenë arsyeja e insistimit të tij me çdo kusht, edhe pas opinionit të Komisionit të Venecias, që përmes ligjit ta kontrolloj Këshillin Prokurorial. Kjo paska qenë arsyeja pse ky nuk po i jep leje asaj ta dekretoj kryeprokurorin e ri. Kot e kanë”, ka shkruar ai.
Gjatë kësaj të premteje janë arrestuar tre të dyshuar, dy prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një biznesmen.
Më herët, Prokuroria Speciale ka njoftuar se të pandehurit, Ridvan Muharremi, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dyshohen për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.


