Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti nuk po gjen qetësi dhe gati çdo ditë vazhdon me kritika nga më të ndryshmet ndaj Qeverisë Kurti.
Kësaj radhe Hoti ka dhënë kritika që kryeministri Albin Kurti dhe vartësit e tij po zhvillojnë takime me qytetarët për prezantuar para tyre prezantuar Buxhetin për vitin 2023, njëherit buxheti më i madh në histori të vendit.
Sipas Hotit, këto takime janë farsë pasi konsultimet për buxhet do të duhej të mbaheshin para përgatitjes së buxhetit.
“Konsultime për buxhet do të duhej të mbaheshin me biznese për mosrealizimin e investimeve kapitale. Konsultime do të duhej të mbaheshin me Kryetarët e Komunave për nevojat e tyre, të cilëve Qeveria po tenton tua marrë buxhetin nga të hyrat vetanake të viteve paraprake. Para përgatitjes së buxhetit do duhej të bisedohej me organizata buxhetore, të cilat për shkak të shkurtimeve buxhetore nuk kanë mundësi të ofrojnë shërbimet për të cilat janë të mandatuar, siç është rasti i RTK-së apo i universiteteve publike”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shtuar se kryeministri duhet të arsyetohet për afro 700 milionë euro që i mban në bankë siç ka thënë, pa nevojë.
“Si do të arsyetohet Kryeministri para qytetarëve për afër 700 mil euro që i mban në bankë pa nevojë, e nuk i rrit pagat e policëve, të mjekëve, të arsimtarëve, të shërbyesve civil etj., të cilëve u janë zvogëluar pagat për 20% për shkak të inflacionit?! Si do të arsyetohet Ministri i Financa për 276 mil euro apo 9% e buxhetit total për 2023, të cilën shumë e mban të pashpërndarë në projekte, që është sa dyfishi i buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes?! Si do të arsyetohen qeveritarët që sivjet nuk i realizuan projektet kapitale – as projektet në vazhdim e as të rejat që ishin projekte që vetë i planifikuan?!”, ka përfunduar Hoti postimin e tij në Facebook.
Duhet theksuar se Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2023 është votuar në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor 2022 dhe mori 64 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, raporton KosovaNeës.
Tashmë takimet publike për buxhetin e vitit 2023 Qeveria e Kosovës i ka nisur sot në Prizren, ndërsa nesër do të bëhet prezantimi në Mitrovicë.
Buxheti i për vitin 2023, është më i madhi në histori të vendit, pasi kap shumën e 3 miliardë e 321 milionë euro./KosovaNews