Ish- ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se vendet e Ballkanit duhet të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve ndërmjet tyre, pa pritur ndërhyrje nga jashtë.
“Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera”, tha Hill gjatë pjesëmarrjes në forumin GLOBSEC 2025 në Pragë. Sipas tij, nuk duhet pritur që bota të ndalojë për t’iu kushtuar vetëm Ballkanit.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Hill theksoi se Kosova duhet ta çojë përpara themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Edhe Serbia, sipas tij, ka punë për të bërë.
Në lidhje me politikën e mundshme të administratës Trump ndaj rajonit, Hill tha se mendon se do të ketë një përpjekje nga SHBA-ja për t’i nxitur vendet e Ballkanit që të fillojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.
Ai theksoi se pritjet ndërkombëtare kanë ndryshuar. Ai thotë se koha kur një vend i Ballkanit vinte ‘te ne për t’u ankuar për një vend tjetër, ka mbaruar. Njerëzit nuk kanë më kohë për këto gjëra. Ata duan të shohin modele bashkëpunimi brenda rajonit”.
Sipas Hill, Bashkimi Evropian duhet gjithashtu të angazhohet më shumë në rajon. “Mendoj se BE-ja duhet vërtet të angazhohet më shumë dhe të përfundojë disa punë të papërfunduara. Besoj se këtë po e shohim tani”
Pos tjerash, Hill nënvizoi se marrëdhëniet SHBA-Kosovë mbeten të rëndësishme. Ai thotë se f”akti që po mundohemi t’i menaxhojmë disa nga interesat tona me Serbinë, nuk do të thotë që jemi kundër Kosovës. Ne kemi shumë interesa edhe në Kosovë”.