Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe deputeti Lutfi Haziri ka reaguar pas dështimit të sërishëm për të zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.
Në një postim në Facebook, Haziri kujtoi se LDK-ja ka mbështetur në të kaluarën gra në pozita të larta shtetërore, por gjithmonë në bazë të marrëveshjeve të mirëkuptuara dhe për hir të funksionimit të Republikës.
“Kemi votuar dy presidente gra, por me marrëveshje dhe për hir të Republikës, që gëzonte besimin dhe shpresën e popullit” shkroi Haziri.
“Kemi votuar pa kushte e kërkesa politike, edhe kur ndoshta zgjedhjet nuk ishin të pëlqyera nga elektorati, sepse shteti duhej të ecte përpara”, tha ai.
Ai theksoi se tani situata ka ndryshuar, pasi, sipas tij, po tentohet të imponohen vendime përmes “agjendave të fshehura dhe veprimeve të njëanshme”, çka e bën të papranueshme mbështetjen për organet institucionale si Kuvendi apo Qeveria.
“Sot nuk është çështje gjinie – as për grua, as për burrë – por çështje përfaqësimi që buron nga marrëveshje të qarta politike dhe veprime që nuk mbartin njolla të kontabandës politike, por të meritës”, shtoi ai.
Në fund, Haziri e drejtoi mesazhin e tij edhe ndaj liderëve aktualë, duke thënë se ai që dikur ka kundërshtuar gjithçka në këtë Republikë, e njeh më mirë se kushdo domethënien e kundërshtimit politik – dhe e ka në dorë zgjidhjen e bllokadës.
“Republika, mbi të gjitha”, ka shkruar Haziri.