Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se është shqetësuese që Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Komuna e Prishtinës nuk janë përgjigjur rreth rastit të 11-vjeçares që dyshohet se është dhunuar në disa raste.
Për njërin prej të cilëve tashmë ka edhe një vendim gjyqësor.
Këto komente Haxhiu i ka bërë të martën në takimin e Grupi Ndërministror Kundër Dhunës në Familje ku është diskutuar mbi përgjigjen institucionale dhe mos përgjigjen e disa nga institucioneve përgjegjëse të përmendura në rekomandimet e Institucionit të Avokatit të Popullit për rastin e 11-vjeçares.
“Gjatë takimit të sotëm, ndër të tjera u diskutua për përgjigjet e institucioneve si dhe mos përgjigjet e disa prej tyre. Ministrja Haxhiu ka vlerësuar se është shqetësuese që Këshilli Prokuroial i Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, nuk kanë kthyer përgjigje rreth rastit në fjalë, kjo sidomos kur bëhet fjalë për rastin e viktimave të dhunimeve seksuale fëmijë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë për këtë takim.
Në njoftim thuhet se në mbledhjen e kaluar të këtij Grupi, me datë 7 prill, ministrja Haxhiu ka prezantuar gjetjet e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe rekomandimet e dala nga ky raport për secilin institucion. Pas këtij takimi, theksohet se të njëjtat janë dërguar edhe me shkresë zyrtare tek institucionet relevante.
“Për trajtimin e rastit të vajzës 11-vjeçare, ministrja ka shprehur shqetësimin e saj për mos koordinimin institucional dhe mos veprimin e duhur në këtë drejtim. Andaj, Grupi Koordinues u dakordua për një takim urgjent të personave përgjegjës që të adresohet saktësisht dhe detajisht secili veprim dhe mosveprim i tyre”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se nga pranimi i planeve të veprimit dhe dokumenteve të tjera relevantë për rastin në fjalë, Ministria e Drejtësisë ka shprehur shqetësimin e saj për trajtimin dhe plotësimin shabllon të të gjitha dokumenteve në rastet që trajtohen dhe thuhet se në takim u njoftua se ky format i dokumenteve nuk është përditësuar asnjëherë që nga viti 2003.
“Ministrja dhe grupi janë dakorduar që menjëherë të adresohet kjo çështje dhe të fillohet puna në krijimin e formave dhe dokumenteve relevante në përputhje me zhvillimet shoqërore sepse nuk ka kuptim që për 20 vite të mos përditësohen format”, thuhet në njoftim.
Ministrja Haxhiu thuhet se ka njoftuar Grupin se Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar buxhetin për blerjen e hallkave elektronike dhe tashmë Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar procedurat për pajisjen me hallka elektronike.
“Duhet të theksohet se Ligji për Mbikëqyrje Elektronike ka hyrë në fuqi me 1 korrik 2015 dhe asnjëherë nuk ka filluar të implementohet. Mbikëqyrja elektronike do të kontribuojë në parandalimin e dhunës apo vrasjeve duke lehtësuar monitorimin e lëvizjes së dhunuesve. Po ashtu, u prezantua dakordimi i arritur për formën e raportimit të Strategjisë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022-2026, si dhe procesi për vendosjen e sistemit për mbikëqyrjen e hallkave elektronike për dhunuesit”, thuhet në njoftim.


