Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka theksuar qëndrimin e Qeverisë që reformat në drejtësi do të bëhen në Kosovë, duke marrë parasysh edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Ajo bërë këtë deklaratë gjatë punimeve të Ministerialit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për drejtësi dhe punë të brendshme.
“Në këtë forum diskutova për arritjet e reformës në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionin, krimet e luftës dhe dhunën në familje. Theksova qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që reformat në drejtësi do të bëhen duke marrë parasysh edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”, ka shkruar Haxhiu në rrjetin social Facebook.
Ajo tha se gjatë punimeve të forumit gjithashtu është diskutuar edhe për agresionin rus mbi Ukrainën.
Haxhiu tha se përmendi faktin se Republika e Kosovës i është bashkuar linjës së Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, po ashtu heqjen e vizave për shtetasit e Ukrainës, ndihmën humanitare dhe strehimin e 11 gazetarëve, për të cilët është ofruar akomodim dhe kushte për punën e tyre të vlefshme.
“Solidariteti i popullit të Kosovës me atë ukrainas, është edhe i natyrshëm, ngaqë për ne mbesin ende të freskëta dhimbjet dhe përjetimet që kishim nga regjimi i Serbisë, krimet e luftës, gjenocidi dhe dhunimet ndaj civilëve të pafajshëm, ngjashëm me atë që Rusia sot po shkakton në Ukrainë”, ka thënë Haxhiu./KosovaNews/

