Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vizituar fabrikën “Comodita” në Gjakovë, ku ka vlerësuar lart punën e punëtorëve dhe rëndësinë e kësaj kompanie për ekonominë e vendit, edhe pas zjarrit që shkaktoi dëme të mëdha.
Haradinaj theksoi se produktet e “Comodita”, të prodhuara nga “duart e arta” të punëtorëve në këtë fabrikë, kanë fituar besimin e klientëve në mbarë botën, ndërsa shumë familje në Kosovë sigurojnë jetesën e tyre përmes punësimit në këtë kompani dhe në kompani të tjera të Devolli Corporation.
“Sot u binda se, edhe pse ndodhi një zjarr dhe dëmet ishin shumë të mëdha, prodhimi po vazhdon dhe vendet e punës po ruhen,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka falënderuar institucionet për reagimin e shpejtë dhe ndihmën e dhënë në ndaljen e zjarrit, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për sektorin prodhues në vend.
Në fund, Haradinaj uroi prodhuesit vendorë, duke thënë se ata meritojnë mbështetje të vazhdueshme për rolin e tyre kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës.


