Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka përmendur tri zhvillime që sipas tij mund të sjellin marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, në mesin e të cilave është dorëzimi i agjendës së dialogut nga BE-ja te presidenti i SHBA-së Joe Biden, në mënyrë që ky i fundit t’i ftojë liderët e dy vendeve për marrëveshjen për njohje reciproke.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se nevojitet një komunikim intensiv mes institucioneve të Kosovës dhe QUINT-it me serbët e Kosovës, sidomos ata të veriut me të gjitha nivelet e mundshme deri më 1 shtator.
Ai po ashtu thotë se nevojitet angazhim për qëndrime të përmbajtura pas takimit të 18 gushtit në Bruksel dhe në asnjë mënyrë retorikë luftënxitëse.
Ndërsa si zhvillim të tretë ai thotë se liderët e BE-së duhet t’ia dorëzojnë agjendën e dialogut Kosovë-Serbi presidentit Biden, në mënyrë që t’i ftojë liderët e dy vendeve për marrëveshjen finale për njohje reciproke sa më parë.
“Kuptohet, Kosova duhet t’i kryejë punët e shtëpisë, ligjin e pagave dhe beneficionet për Policinë e Kosovës”, shkruan Haradinaj.