Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në promovimin e librit “Shtet i ri, burrë shteti modern, Hashim Thaçi, një biografi”, i autorëve Roger Boyes dhe Suzi Jagger.
Haradinaj me këtë rast ka thënë se rruga e shqiptarëve deri tek liria e pavarësia, ishte e rëndë.
“Rruga e shqiptarëve të Kosovës deri tek liria e pavarësia, në secilën etapë të historisë sonë, ishte shumë e rëndë e me çmim të lartë. Në prag të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, mora pjesë në promovimin e librit “Shtet i ri, burrë shteti modern, Hashim Thaçi, një biografi”, i autorëve Roger Boyes dhe Suzi Jagger, në librotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se përpjekjet kundër shqiptarëve dhe të vërtetës sonë gjithmonë kanë dështuar.
“Të lumtë ata që me sukses e kanë kryer detyrën ndaj atdheut, faqebardhë e me nder. Përpjekjet kundër shqiptarëve dhe të vërtetës sonë gjithmonë kanë dështuar. Ata që sot mbahen në Hagë, fuqishëm besojmë në pafajësinë e tyre, sepse lufta jonë ishte çlirimtare”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se për gjithçka që është arritur deri sot, i jemi mirënjohes aleatëve tanë me në krye ShBA-të.
“Mirënjohës përjetë aleatëve tanë me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hisedare në rrugën e lirisë sonë e të krijimit të shtetit e të ushtrisë sonë”, ka përfunduar Haradinaj.