Eemisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, sot në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, ka filluar takimet edhe me liderët e partive politike.
Tashmë Escobar ka përfunduar edhe takimin e kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili ka lëshuar edhe një deklaratë të shkurtë për medie.
Sapo përfundova takimin me z. Escobar dhe ambasadorin Hovenier. Mund t’ju them se janë mjaft të fokusuar në zhvillimet në vend, posaçërisht në Veri, me kërkesën eksplicite që të ulen tensionet, të hiqen barrikadat dhe të kthehet normaliteti në atë pjesë të vendit. Besoj se ky angazhim serioz i ShBA-së do ta shpëtojë situatën dhe do të na kthejë te marrëveshja finale për njohje Kosovë- Serbi. Në emër të AAK-së, shpreha falënderimin për ndihmën jetike që po jep ShBA”, ka shkruar në deklaratën e tij, Haradinaj.
Vizita e emisarit amerikanë ndodh në kohën kur situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe është e tensionuar. Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Në këtë vizitë ishte planifikuar të ishte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Megjithatë, ky i fundit, anuloi vizitën në Kosovë e rajon, pasi njoftohet se doli pozitiv me sëmundjen COVID-19./KosovaNews
