Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ndjehet i tronditur nga shpërthimi i së dielës në Stamboll, ku të paktën gjashtë persona u vranë.
Ai deklaroi në Facebook se aktet e tilla qyqare “na kujtojnë edhe njëherë që bota duhet të jetë bashkë, e demokratizuar dhe e zëshme kundër dhunës dhe terrorit”.
“Lutemi për viktimat, të lënduarit dhe familjet e tyre. Qëndrojmë pranë Turqisë në këtë ditë të kobshme”, u shpreh Haradinaj.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ngjarjes i është referuar si sulm terrorist, për çka tha se përpjekjet për ta sulmuar Turqinë përmes terrorizmit nuk do të kenë rezultate pozitive.
“Pas sulmit të pabesë, në vendngjarje shkuan forcat tona të sigurisë dhe të plagosurit tanë u dërguan në spitalet përreth. Përpjekjet për të pushtuar Turqinë dhe kombin turk përmes terrorizmit nuk do të arrijnë qëllimin e tyre siç ka sot dhe nesër”, ka thënë ai.


